TË DHËNAT HISTORIKE RRETH ZONËS SË GUCISË DHE VETËQEVERISJES
Krahina e Gucisë ishte tërheqëse për popullim qysh në parahistori. Për këtë dëshmojnë edhe tri gjetje arkeologjike në rrethinën e Gucisë. Njëra gjindet në bjeshken e Vollushafaktit në rreth 1700m l.m. ku në luginën e një përrocke është zbuluar një vizatim primitiv në një pllakë gurore. Disa vija të gdhëndura në gurë paraqesin një nënë që mban në krahrorë fëmijët, e afër saj janë të dukshme edhe disa figura njerëzish.
Gravimi në Vollushafakt.
Gucia përmendet qysh në shekullin 14 si ndalesë e karvaneve në rrugen: Dubrovnik, Kotorr, Shkodër, Pejë, Stamboll. Në atë kohë nëpër këtë vendbanim kan kaluar shumë tregtar e karavane të cilët e kan gjallërua këtë zonë. Në kohen e pushtimit Turk, qendra e nahisë së Gucisë ka pasur administratat e zhvilluara, funksionet tregtare e të zanateve. Me vendosjen e kufirit me Shqipërinë, në fillim të shek.20 Gucia me rrethinë bëhet një zonë e izoluar, e që ka ndikuar në dobësimin e fuqisë së saj ekonomike. Kjo ka zgjatur deri në dekadat e fundit te shek. 20 kur ka ardhur deri te gjallërimi i dukshëm i ndërmarrësisë së saj, e veçanërisht të industrisë, zanatit e tregtisë. Karakteristikë kulturore e historike kësaj zone janë edhe qendra urbane dhe kullat e gurit. (E Baliqëve, Çekiqëve, Radonçiqëve etj).
Për vjetërsinë e Gucisë dëshmojnë edhe të gjeturat e mbetjeve të ujësjellësit e kanalizimeve që datojnë që nga koha romake. Emri i Gucisë sipas etimologjise dhe të thënave të trasheguara, mendohet se emërtimi lidhet kryesisht me pozitën gjeografike. Në bazën e këtij Makro-toponimi qendron sigurisht leksika Ilire “Geusaie”, sekuenca vokale “eu” nga ilirishtja, ka dhënë vokalin “u” e ajo latine “ae” ka dhënë “e” dhe krijohet emri “Gusie”. Sot me emrin shqip “Guci” (Gicia).
Në gjeografinë e vilajetit të Kosovës e botuar në vitin 1852, ndër të tjera thuhet se Gucia është një qytezë e cila ka 1500 shtëpi, 5 xhami, 8 shkolla fetare, një gjimnaz, 350 dyqane, 7 hane, 27 kafiteri.
Konzuli francez në Shkodër, Ekar,në Qershor 1859 e ka vizituar Gucinë dhe në ditarin e tij shkruante: “në qytetzen e Gucisë gjinden 350 dyqane, gusianët janë tregtarë shumë të njohur e të zotë”.
Sipas statistikave të Velimiroviqit, në vitin 1893 qytetëza e Gucisë numronte 1600 shtëpi, 5 xhami, 4 hane, 240 dyqane, ndërsa thuhej se Gucia me rrethinë numëronte 23804 banorë.
Në periudhen 1906-1908 në Guci kishte qëndruar dr. Jovan Cvijiqi ku kishte shkruar se qytetëza e Gucisë numëronte 6202 banorë, Pazari i Ri 13847, Sjenica 3882, Plevla 3895, Fusha e Bardhë 3452, Parafusha 3895, Qytetëza e Re 2707 banor.
Migrimet më të mëdha ky rajon i ka perjetuar në vitet 1914, 1919, 1925, 1933, 1936 në drejtim të Turqisë, Shqipërisë, 1945-2003 Podgoricë, Pejë, Prishtinë, Shkup, Sarajevë, Evropën Përëndimore, Amerikë etj.
Si qender administrative Gucia ka pasur një ndikim mjaft të madh përgjatë historisë.
Në gjysmen e parë të shek. 17 kur ka ndodhur organizimi teritorial i pushtimit osman, Zhupa e Plavës është emertuar në Nahinë e Plavës kur ka hy në përberje të Sanxhakut të Shkodrës dhe qendra në vend të Plaves bëhet Gucia. Nga atëherë Nahija e Plavës emertohet në Nahinë e Gucisë e cila shtrihej në gjithë krahinen e Plavë-Gucisë e deri në Bihor, Më vonë këta kufinj janë zvogluar dukshëm.
Gucia në vitin 1724 ishte kapetani e Pashallakut të Bosnes e cila nga viti 1869 ishte pjesë përbërëse e Sanxhakut të Prizrenit.
Në gjysmen e dytë te shek. 19 rajoni i Plavës e Gucisë krijon Kazën e vet të ashtuquajtur Kaza e Gucisë e cila në përbërjene e vet kishte teritorin e Plavës dhe Gucisë.
Kah mesi i shek. 19 kur janë ndërpre kapetanitë, dhe kur është terhequr ushtria osmane, Kaza e Gucisë kishte mbetur e vetme dhe kujdesej për vetveten si një autonomi në vete me vetëmbrojtje, në atë kohë qytetaret e saj ishin të liruar nga shërbimi ushtarak i ushtrisë osmane.
Pas përfundimit të luftrave ballkanike në vitin 1913 në luginen e Plavë-Gucisë ishin krijuar dy “komuna lokale” Gucia dhe Plava me kryetarë në krye dhe me xhandarmëri.
Pas Luftës së dytë Botërore Gucia ishte komunë në vete, mirëpo atë status e humb pas reformave komunale të vitit 1953. Kjo kohë ka sjellë zbrazjen demografike dhe varfrimin e kësaj ane. Kan ndodhur procese drastike të depopulimit, procese të migrimit të popullsisë. Gjithsesi arsyet nuk ishin vetem për shkak të humbjes së statusit të komunës.